AlbanianSport.com 15.05.2016 21:15
ASNN – Ka qenë kryesisht një fundjavë e mbarë kjo për kuqezinjtë e futbollit evropian. Kështu, Napoli i Elseid Hysajt siguroi pjesëmarrjen në fazën e grupeve të Ligës së Kampioneve, pas fitores së thellë, 4-0, me Frosinonen, duke e mbyllur në vendin e dytë. Si zakonisht, mbrojtësi i Kombëtares ishte titullar, duke dhënë edhe pasimin për golin e tretë.
Ky ka qenë sezoni më i angazhuar për Hysajn, i cili vetëm në kampionat ka luajtur në 37 ndeshje. Peskara është akoma më e sigurtë për vendin e tretë në klasifikimin e Serisë B, zona e “play-off”-it për t’u ngjitur një kategori më lart. Skuadra abruceze arriti një tjetër fitore në fushën e Modenës, me rezultatin 5-2. Një nga golat u shënua nga kapiteni shqiptar, Ledian Memushaj.
Mesfushori i Kombëtares ka shënuar 11 gola në këtë kampionat. Në Turqi, Sokol Cikalleshi tregoi edhe një herë se është i domosdoshëm për Bashaksehirin. Sulmuesi shqiptar shënoi një gol dhe dha një pasim për golin tjetër në fitoren 2-1 në fushën e Eskisehirsporit. Me këtë sukses, Bashaksehiri siguroi pjesëmarrjen në fazën eliminatore të Ligës së Evropës.
Sokol Cikalleshi ka shënuar 13 gola këtë sezon në kampionat dhe kupë. Në krahun tjetër të globit, në kampionatin amerikan, Shkëlzen Gashi ishte një ndihmë e madhe për Kolorado Rapids. Skuadra e tij ruajti vendin e parë në klasifikimin e kampionatit amerikan të futbollit, edhe pas barazimit 1-1 në fushën e Kolombus Krju. Gashi dha pasimin për golin e miqve, duke kontribuuar kështu në pikën e marrë.