AlbanianSport.com 23/02/2021 16:55
ASNN – Ka qenë një fundjavë për t’u mbajtur mend nga lojtarët e Kombëtares shqiptare, teksa disa nga sulmuesit kanë gjetur rrugën e rrjetës me klubet e tyre anembanë kontinentit. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare të futbollit, Sokol Cikalleshi ka shënuar një dygolësh me vlerë për skuadrën e tij, Konjasporin. Në ndeshjen e zhvilluar në fushë të huaj kundër Jeni Mallatjasporit, sulmuesi kuqezi i dha 3 pikët skuadrës së tij. Pjesa e parë foli për vendasit, të cilët kryesonin ndeshjen me dy gola epërsi, por, në pjesën e dytë, Konjaspori përgjigjet, duke përmbysur rezultatin.
Goli i shënuar nga Diomande në minutën e 72-të do të pasohej nga dy gola të bukur, të shënuar me kokë nga shtatlarti kuqezi në harkun kohor të 4 minutave, përkatësisht në të 80-tën dhe të 84-tën. Sokol Cikalleshi tregon kësisoj edhe formën e mirë që po kalon, një lajm i mirë ky edhe për Kombëtaren kuqezi. Ndërkohë, një tjetër futbollist i Kombëtares shqiptare po tregon një formë të shkëlqyer me klubin. Sulmuesi Myrto Uzuni ka shënuar edhe këtë javë në kampionatin elitar të Hungarisë, duke ndihmuar skuadrën e tij Ferencvaroshin të fitojë me rezultatin 1-0 ndaj Honvedit.
Në takimin e luajtur të shtunën mbrëma, futbollisti i talentuar beratas realizoi në minutën e 56-të, pasi goditi saktë me të djathtën në hyrje të zonës e duke e dërguar topin në cepin e portës. E pamundur për portierin që të shmangë golin. Duhet theksuar se ky ishte goli i 8-të në kampionat për Uzunin në kampionatin hungarez, me sulmuesin që vazhdon të tregojë një formë konstante. Shqiptari ka luajtur 16 ndeshje me Ferencvaroshin këtë sezon, 13 nga të cilat i ka nisur si titullar, dhe ka një mesatare prej 1 goli të shënuar në çdo 141 minuta.
Ferencvaros vazhdon kështu të kryesojë bindshëm kampionatin, ndërsa Myrto Uzuni vijon të bindë me paraqitjet e tij të mira në këtë skuadër. Sërish lajme të mira në kampin kuqezi, me disa nga lojtarët e Kombëtares, të cilët kanë treguar formë mjaft të mirë këtë fundjavë. Një tjetër lojtar i Kombëtares shqiptare ka shënuar për skuadrën e tij. Bëhet fjalë për sulmuesin Armando Broja, i cili militon në radhët e Viteses, në kampionatin holandez. Aty ku ai ka realizuar një gol mjaft të bukur në sfidën kundër PSV-së së Eind’hovenit.
Sulmuesi kuqezi i Kombëtares, përmes një pasimi të dhënë nga shoku i tij i skuadrës, goditi saktë topin brenda zonës me të djathtën dhe kaloi në epërsi skuadrën e tij që në minutën e 4-t. Por, ekipi i shqiptarit ishte i pafat, pasi PSV-ja e përmbysi disavantazhin dhe fitoi 3-1. Pavarësisht rezultatit final, ky është një lajm i mirë për Armando Brojën, i cili shkon në kuotën e 8 golave të shënuar me ekipin e Vitesses, në 19 ndeshje të luajtura, ku 12 i ka nisur si titullar. Talenti shqiptar ka një mesatare prej 1 goli të shënuar në çdo 134 minuta.
I fundit për nga radha është Rei Manaj, i cili ka shënuar dy gola me Barcelonën në sfidën e javës së 17-të të nivelit të dytë të kampionatit spanjoll, Segunda Division, ndaj ekipit Hospitalet. Sulmuesi kuqezi shënoi golin e parë në minutën e 20-të, pasi goditi bukur me kokë, duke dërguar topin në rrjetë. Në fund të pjesës së parë katalanasit fitojnë një 11-metërsh, që e shndërron në gol Rei Manaj, si zakonisht i saktë nga 11-metërshi. Barcelona B e fitoi takimin me rezultatin 3-0, ndërsa Manaj bëri një paraqitje mjaft të mirë.