AlbanianSport.com 04/04/2022 15:40
ASNN – Futbollistët shqiptarë janë rikthyer këtë fundjavë të luajnë me ekipet e tyre në Evropë. Pas një shkëputje thuajse 10-ditore për shkak të angazhimit me Kombëtaren shqiptare, legjionarët kuqezi kanë dhuruar një paraqitje pozitive në kampionatet përkatëse. Sulmi kuqezi ka qenë në qendër të vëmendjes këtë fundjavë, teksa Bekim Balaj ka arritur më në fund të zhbllokohet dhe të gjejë rrugën e rrjetës në Turqi me Bolysporin, pas një goli me kokë brenda zonës kundërshtare.
Ky ishte edhe goli i parë për sulmuesin shqiptar, teksa një tjetër lojtar ka arritur të realizojë këtë të diel. Bëhet fjalë për bomberin e Kombëtares, Sokol Cikalleshi, i cili ashtu sikurse Balaj luan në kampionatin turk, por në Superligën turke me Koniaspor. Cikalleshi ka realizuar një gol fantastik në radhët e ekipit të tij, teksa u fut bukur brenda zonës, shmangu disa kundërshtarë dhe me një gjuajtje nga ana e djathtë e katërkëndorit, e dërgoi topin në cepin e majtë të portës.
Ky ishte goli i 10-të për sulmuesin shqiptar, në krah të cilit luante edhe mesfushori Endri Çekiçi. Në vijën e sulmit janë aktivizuar edhe Armando Broja, Rei Manaj e Xhakomo Vrioni, të cilët kanë pasur gjithashtu minutat e tyre nën këmbë në Angli, Itali e Austri. Albi Doka, Ermir Lenjani dhe Elhan Kastrati, në Hungari, Zvicër e Itali kanë pasur gjithashtu minutat e tyre me klubet përkatëse pas kthimit nga dy ndeshjet me Kombëtaren.