AlbanianSport.com 02.08.2015 19:35
ASNN – Mullinjtë e merkatos së verës vazhdojnë të bluajnë me ngarkesë të plotë për futbollistët kuqezi dhe është ekipi i Fiorentinës në Serinë A, ai që së fundmi është interesuar për futbollistin e Kombëtares shqiptare, Ergys Kaçe, aktualisht lojtar me skuadrën e PAOK-ut në Greqi. Pas kërkesave të fundit, drejtuesit e PAOK-ut po mendojnë t’i propozojnë një kontratë të re futbollistit shqiptar me një rritje të ndjeshme page.
Në rast se Kaçe do të largohet nga Greqia, kjo nuk do të ndodhë pa u derdhur të paktën 4 milionë euro në arkën e PAOK-ut. Ky është çmimi që ka vendosur klubi grek për mesfushorin e Kombëtares shqiptare. Gjatë kësaj merkatoje, mediat kanë shkruar shumë për transferimin e mundshëm të talentit kuqezi në skuadra të ndryshme në Evropë, si Udineze në Itali, Njukasëlli në Angli apo klube të tjera nga Turqia, të cilat flitet se kanë shfaqur interes për kartonin e mesfushorit të PAOK-ut.
Mes këtyre klubeve, një tjetër shfaqet në skenë. Këtë herë është skuadra e Fiorentinës e cila ka treguar interes të veçantë për 22-vjeçarin. Faqja sportive helene, “Football-Land.gr” shkruan se agjenti i shqiptarit, Janis Evangelopulos, ka biseduar me drejtorin sportiv të PAOK-ut, Frank Arnesen, dhe i ka kërkuar të nënshkruajë një kontratë me më shumë të ardhura për futbollistin.
Mirëpo, klubi selanikas nuk ka ndryshuar qëndrimin e mëparshëm duke kërkuar 4 milionë euro për kartonin e Kaçes. Në rast se një shumë e tillë i ofrohet klubit, atëherë mesfushori korçar mund të largohet drejt një ekipi tjetër. Faqja sportive në fjalë, “Football-Land.gr” zbardh dhe një tjetër detaj, që Kaçe është kërkuar së fundmi nga Fiorentina, por drejtuesit e PAOK-ut kanë menduar t’i rrisin pagën lojtarit që ta mbajnë në ekip.