AlbanianSport.com 28.02.2017 12:05
ASNN – Etrit Berisha është portieri i momentit në Itali. “Gardiani” kuqezi në ndeshjen me Napolin ishte vërtet i pakalueshëm, teksa bëri shumë pritje fantastike duke i mohuar golin skuadrës së Hysajt në fitoren 0-2 të Atalantës. “Jam i lumtur, kemi bërë një ndeshje të madhe dhe unë u mundova të bëja timen”, – tha Berisha, duke folur për faqen e klubit.
“Jam aty kur i nevojitet skuadrës, – ka vijuar ai. – Edhe në ndeshjen e fazës së parë ndaj Napolit, të fituar 1-0, vuajtëm dhe luftuam, kjo ndeshje na jep më tepër forcë për të vazhduar të ëndërrojmë Evropën”. Portieri i Kombëtares Shqiptare foli gjithashtu për sekretin e formës së Atalantës.
Ai ka thënë se çelësi i suksesit qëndron tek harmonia e grupit dhe loja kolektive e tij. “Njohim mirë njëri-tjetrin dhe e kuptojmë çfarë do trajneri, – sqaroi Berisha. Falë kësaj luajmë në mënyrë të thjeshtë dhe gabojmë shumë pak. Tani nuk duhet të ndalemi, do të kemi një betejë kundër Fiorentinës të dielën e ardhshme, duhet të na gjejë gati.”