Adriatik Balla 05.06.2015 16:45
Liga e Kampioneve duket se i ka ndryshuar mendjen Etrit Berishës, pasi mësohet se portieri i kombëtares shqiptare nuk do të largohet këtë verë nga Lacio.
E përditshmja italiane “La Republica” ka shkruar se, pjesëmarrja e kryeqytetasve në veprimtarinë më prestigjioze të klubeve evropiane sezonin e ardhshëm, ka bërë që Berisha të bindet për të qëndruar edhe një vit te Lacio.
Këtë sezon, Berisha ka luajtur 17 ndeshje, duke pasur paraqitje pozitive në shumicën prej tyre. Trajneri Pioli e vlerëson 26-vjeçarin, prandaj mund t’i premtojë më shumë minuta sezonin e ardhshëm, duke qenë se do ketë më shumë ndeshje për shkak të Ligës së Kampioneve.
Javët e fundit ishte raportuar për një largim të mundshëm të Berishës nga Lacio, pasi ai dëshironte të luante rregullisht. Megjithatë, kjo ide është hedhur poshtë nga “gardiani” i portës së Kombëtares, i cili ka vendosur të luftojë për numrin 1 të lacialëve.