AlbanianSport.com 23.10.2015 08:50
ASNN – Portieri i Kombëtares kuqezi, Etrit Berisha, ka shkëlqyer mbrëmë në ndeshjen që Lacio e tij zhvilloi dhe fitoi ndaj Rozenborgut, në grupin G të Ligës së Evropës.
Lacio e fitoi takimin 3-1, madje me dhjetë lojtarë në fushë, pas daljes me karton të kuq të Mauricios që në minutën e 6-të të pjesës së parë.
Kandreva Matri dhe Anderson ishin autorët e golave për Lacion, teksa Berisha u bë hero me pritjet e tij dhe ndihmoi shumë skuadrën të arrinte fitoren.
Në minutat e fundit, ai priti një 11-metërsh të gjuajtur nga Aleksandër Sauderlund, një pritje që ka shmangur tendosjen e nervave në minutat e fundit.
Me këtë paraqitje Berisha ka fituar shumë pikë në radhët e Lacios, madje kjo është shenjë e mirë dhe për De Biazin, i cili e ka pikë referimi në portën e skuadrës përfaqësuese.