AlbanianSport.com 25.10.2015 13:55
Pasi ndihmoi Kombëtaren Shqiptare në misionin për një biletë në “Euro 2016”, gardiani kuqezi, Etrit Berisha, duket se po fiton edhe besimin e trajnerit të Lacios, Stefano Pioli. Kualifikimi në Francë e ka rritur ndjeshëm moralin e portierit të lindur në Prishtinë, i cili zhvilloi një ndeshje shumë pozitive në Ligën e Evropës kundër Rozenborgut, ku priti edhe një 11-metërsh.
Kur skuadra mbeti me 10 lojtarë që në minutat e para, portieri shqiptar ruajti në disa raste portën e Lacios të paprekur, duke tërhequr vëmendjen e mediave që shkojnë edhe më tej duke paralajmëruar rritjen e rivalitetit mes tij dhe numrit 1, Marketi i cili po humbet terren në hierarkinë e skuadrës. Humbja e fundit në kampionat kundër Sasuolos, ku Marketi ishte titullar ka ngjallur shumë reagime edhe për paraqitjen e tij.
Ndërsa siguria që Berisha dha ndaj Rosenborgut mund ta bëjnë trajnerin Pioli të mendojë për ndryshimin e kursit në portë. Tashmë Berisha konsiderohet si një alternativë në lartësinë e Marketit pasi ai ka punuar gjithmonë në heshtje dhe pa krijuar asnjëherë polemika edhe pse e ka pranuar se vazhdimësia i mungon.
Një tjetër çështje e nxehtë që e lidh edhe më shumë Berishën me Lacion është fakti se Marketi nuk ka rinovuar ende dhe nëse një gjë e tillë nuk ndodh deri në janar, atëherë Berisha mund të konsiderohet si gardiani i së ardhmes në kryeqytetin italian.