AlbanianSport.com 11/11/2018 20:15
ASNN – Eros Grezda jep një sinjal fantastik për trajnerin Kristian Panuçi, sepse jo vetëm luajti titullar sot në kampionatin skocez, por ai ishte protagonist me dy gola në fitoren e thellë 7-1 që Gllasgou Rejnxhërs arriti ndaj Madhëruellit. Ishte një ndeshje që shkoi mirë për trajnerin Stivën Xherrard, i cili i besoi sërish Grezdës që nga minuta e parë.
Kosovari i Kombëtares kuqezi bëri një ndeshje shumë të mirë, dhe në minutat e fundit të ndeshjes, kur rezultati ishte 5-1, i shtoi skuadrës së tij dy gola të tjerë, duke thelluar rezultatin dhe duke vulosur përfundimisht fitoren 7-1. Kjo ishte fitorja më e thellë e Gllasgou Rejnxhërs në këtë kampionat.
Dhe një sukses që i jep besim skuadrës dhe vetë trajnerit anglez. Për sportdashësit shqiptarë ka rëndësi forma e mirë e Eros Grezdës, që realizoi dy gola, dy sinjale të forta për trajnerin Kristian Panuçi në prag të dueleve, pikërisht ndaj Skocisë më 17 nëntor dhe në miqësoren ndaj Uellsit më 20 nëntor 2018.
Sulmuesi i krahut mund të thuhet se i ka kaluar dëmtimet e njëpasnjëshme dhe tani gëzon formë të mirë. Për Shqipërinë është gjë e mirë që ai është në formë dhe madje vetë Grezda ka deklaruar hapur në konferencat e shtypit në Gllasgou se dëshiron t’i shënojë Skocisë në ndeshjen e 17 nëntorit në Stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës.