AlbanianSport.com 19/12/2018 18:25
ASNN – Ndryshon situata në kampiontin helen, Ergys Kaçe quhet tani “Iniesta i Greqisë”. Pak ditë më parë, mesfushori fantasist shqiptar, Ergys Kaçe, i cili aktivizohet me Panathinaikosin në kampionatin helen, realizoi një “perlë”, duke dhënë një pasim goli prej 40 metrash largësi dhe mediat greke e kanë cilësuar këtë veprim jo vetëm të përkryer, por edhe të rrallë në fushat e futbollit, një pasim që e bëjnë lojtarë të mëdhenj si Iniesta dhe Ksavi, dy ish-mesfushorët e shquar të Barcelonës.
Mesfushori shqiptar e ka postuar në llogarinë e tij në rrjetin social “Instagram” videon e këtij pasimi, duke tërhequr vëmendjen e shumë shikuesve dhe njëherësh edhe të shokëve e lojtarëve të tjerë. Krahasimi me Ksavin dhe Iniestën është bërë nga vetë shokët e tij të skuadrës dhe nga rivalë në kampionatin grek dhe ishin pikërisht këta që postuan video krahasimi të Iniestës që ngjajnë si dy pika uji. Edhe pse Panathinaikosi humbi, është fakt që pasimi i Kaçes ishte ai që mori vëmendjen më të madhe.
Në ndeshjet e fundit, mesfushori fantasist i Kombëtares kuqezi ka luajtur rregullisht dhe lojtarët e tjerë ndihen rehat në fushë me praninë e tij, pasi ka cilësi të veçanta në driblime, organizimin e lojës dhe në pasimin e fundit. Nëse Kaçe do të kishte një përgatitje fizike më të mirë, ai do të ishte ndoshta ylli i kampionatit grek. Sidoqoftë, ai po kalon një moment të mirë me Panathinaikosin në Superligën helene.