AlbanianSport.com 11/11/2018 23:55
ASNN – Mesfushori i Kombëtares tonë kuqezi, Ergys Kace, ishte sot protagonist në derbin e Athinës midis Olimpiakosit dhe Panathinaikosit, pasi realizoi një gol nga një largësi prej 20 metrash nga porta, një “perlë” sa i takon realizimit dhe ishte shumë pranë një fitoreje të madhe. Sot ishte padyshim dita e kuqezinjve, pasi thuajse të gjithë shkëlqyen.
Filluan me Berishën dhe Gjimshitin në Itali, Grezdën në Skoci, e tani në darkë edhe me Kaçen në Greqi. Shqiptari realizoi një supergol në minutën e 61-të dhe Panathinaikosi i tij po e fitonte ndeshjen deri në sekondën e fundit. Por pikërisht në fund Pape Sise barazoi shifrat 1-1, duke bërë që të dyja skuadrat të ndanin nga një pikë. Siç dihet, Loret Sadiku ka refuzuar të grumbullohet me Shqipërinë, kështu që stafi i Kombëtares ftoi Kaçen me urgjencë.
Ky gol mund të jetë një sinjal i fortë për trajnerin Panuçi, që në duele të tilla të forta se ai ndaj Skocisë më 17 nëntor 2018 mund të bëjë punë një futbollist “snajper” si Ergys Kaçe. Të gjitha këto realizime të forta dhe me peshë, por edhe loja e mirë e kuqezinjve në ndeshjet e fundit me skuadrat e tyre evropiane, janë dëshmi e mirë për trajnerin italian të përfaqësueses në prag të dy ndeshjeve të nëntorit me Skocinë dhe Uellsin.
Por në të njëjtën kohë i japin qetësi trajnerit në përzgjedhjen e lojtarëve të dëshiruar e që janë në formë të mirë sportive.