AlbanianSport.com 02.02.2016 11:15
ASNN – Merkatoja e janarit ka përfunduar dhe, në pamundësi për t’u zhvendosur tjetërkund, duket se këto muaj të mbetur të sezonit, mesfushori shqiptar, Ergys Kaçe, do t’i duhet të bëjë durim. Futbollisti është duke kaluar momente të vështira me klubin e tij grek, PAOK-un e Selanikut, pasi, nga titullari i padiskutueshëm, ai po e shikon veten në stolin rezervave.
Futbollisti nga Korça është duke vuajtur pasojat e mosmarrëveshjeve të vazhdueshme me klubin grek. Po kështu, trajneri kroat, Igor Tudor, është duke u sjellë keq ndaj mesfushorit shqiptar, i cili ka refuzuar të zgjasë kontratën aktuale, që i skadon në vitin 2017. Gjatë merkatos së dimrit, shtatshkurtëri u përfol për një kalim në Serinë A, tek Interi ose Lacio.
Por gjithçka mbetir në kuadër të spekulimeve, pasi dje është mbyllur afati i merkatos së janarit, dhe Kaçe duhet të qëndrojë me skuadrën bardhezi. Sezonin e shkuar, 22- vjeçari ishte titullar i padiskutueshëm dhe ishte një nga të preferuarit e tifozëve të Selanikut, pasi luajti 30 ndeshje dhe shënoi 4 gola. Por dëshira e tij për të ndjekur një aventurë të re larg Greqisë, nuk u ka pëlqyer drejtuesve të klubit.
Kështu që ata kanë reaguar dhe, këtë sezon, ai është aktivizuar në vetëm në 11 takime, ndërsa në tre takimet e fundit që ka luajtur është futur në lojë nga stoli i rezervave, dhe kjo shifër e ndeshjeve është shumë e vogël kur merret parasysh se PAOK-u lufton në tre gara. Ndeshjen e fundit, Kaçe e ka luajtur më 17 janar kundër Verias dhe që prej asaj dite, nuk e ka parë më fushën e blertë.