AlbanianSport.com 28.12.2016 17:55
ASNN – Sikundër pritej, aventura e Ergys Kaçes në Republikën Çeke me Viktorian e Plzenjit përfundoi para kohe dhe mesfushori është kthyer tek grekët e PAOK-ut të Selanikur, pas huazimit disa mujor.
Kaçe luajti 12 ndeshje me skuadrën çeke në të gjithë veprimtaritë, por mesa duket nuk bindi drejtuesit e ekipit për të vazhduar bashkëpunimin. Pas aventurës në Republikën Çeke, 23-vjeçari nisi stërvitjen me skuadrën nga Selaniku.
Por ende nuk është e qartë se si do të veprohet me të. E ardhmja e tij varet edhe nga largimet që mund të ketë nga ekipi në janar. Një periudhë e keqe kjo për futbollistin e Kombëtares.
Kjo sepse Ergys Kaçe po kthehet në çështje edhe tek kuqezinjtë, ku trajneri Xhovani De Biazi nuk e preferon më. Në ndeshjen me Spanjën, ai përfundoi në tribunë, ndërsa me Izraelin nuk u grumbullua fare.
De Biazi e quajti këtë vendim një zgjedhje teknike, por duket se gjërat nuk shkojë mirë mes tyre. Ergys Kaçe u grumbullua në fazën finale të “Euro 2016”-ës, duke luajtur vetëm 28 minuta me Zvicrën.