AlbanianSport.com 01.02.2017 13:25
ASNN – Nuk ka rezultuar edhe aq shterpë për futbollistët shqiptarë kjo periudhë dimërore e transferimit të lojtarëve në kontinentin e vjetër. Në orët e fundit ka ardhur ajo lëvizje, siç ishte transferimi më i bujshëm i Emanuele Ndojit.
Ky i fundit, nga Breshia e Serisë B në Itali, ka bërë një hap të rëndësishëm në karrierë duke kaluar një nivel më lart, tek Bolonja në Serinë A. Zyrtarizimi i mesfushorit 20 vjeçar shqiptar është bërë sot, ndërsa është konfirmuar nga menaxheri Sokol Haxhia.
Por, deri në fund të sezonit, Ndoji do të qëndrojë i huazuar te Breshia, ndërsa më pas do të bashkohet me skuadrën e tij të re. Një tjetër lojtar shqiptar që ka ndryshuar ekip dje, është edhe Cikalleshi.
Pas vështirësive që po haste me skuadrën e Bashaksehirit, shtatlarti është huazuar te Akhisar Beledije, po në Superligën turke. Pas huazimit të Cikalleshit, Bashaksehiri ka afruan në ekip sulmuesin e njohur, ish-lojtarin e Realit të Madridit, Emnuel Adebajor.
Po dje është zyrtarizuar edhe transferimi i ish-talentit të Skënderbeut, Agim Zeka te skuadra franceze e Lilës. Marrëveshja ishte arritur pak ditë më parë, me një vlerë prej 300,000 eurosh.