AlbanianSport.com 05/07/2020 19:25
ASNN – Endri Çekiçi ka shënuar sërish në kampionatin slloven të futbollit. Sulmuesi shënoi në fitoren e thellë, 7-3, që ekipi i tij, Olimpija e Ljubljanës ka arritur në fushën e Triglavit. Çekiçi shënoi me kokë nga afër portës, pasi shfrytëzoi një harkim nga e djathta në qendër të zonës, duke goditur me zgjuarsi. Sulmuesi pogradecar fitoi edhe një 11-metërsh për skuadrën e tij në fundin e pjesës së parë.
Dhe bashkë me këtë fitore, Ljubljana vazhdon të mbajë vendin e parë në renditjen e Ligës së Parë të futbollit në Slloveni. Kështu, Endri Çekiçi ka gjetur golin të dielën, teksa sulmuesi nga Pogradeci, pjesë e Olimpijas së Ljubljana në Slloveni, ka shënuar golin e dytë të ekipit të tij në ndeshjen jashtë fushe kundër Triglavit. 23-vjeçari shënoi në minutën e 23-të me kokë pas një harkimi të ardhur nga krahu i djathtë.
Ky ishte edhe goli i 10-të në nivelin më të lartë të kampionatit slloven për lojtarin shqiptar. Vendasit ia dolën të barazojnë sfidën brenda dy minutave, por Olimpija u rikthye sërish në epërsi. Miqtë fituan një 11-metërsh me anë të Çekiçit, i cili u pengua në mënyrë të parregullt brenda zonës nga portieri vendas dhe, nga pika e bardhë, Vukushiçi e riktheu skuadrën e tij në epërsi në minutën e fundit të pjesës së parë.
Olimpija e Ljubljanët po lufton për titullin “kampion” dhe, për momentin kryeson, me katër pikë më shumë se Celja dhe Maribori, që ndajnë vendin e dytë dhe të 3-të, teksa kanë mbetur edhe 5 javë deri në mbylljen e këtij sezoni në “Prva Liga” të Sllovenisë.