AlbanianSport.com 06/12/2018 12:55
ASNN – Një nga mesfushorët e Kombëtares kuqezi, Emanuele Ndoji, llogaritet si një prej lojtarëve më të kërkuar në Serinë B italiane, duke qenë një lojtar i kërkuar sidomos nga klubi i Empolit. Empoli ua di vlerën futbollistëve shqiptarë, pasi ka pasur më herët në gjirin e vet lojtarë si Elseid Hysaj dhe Frederik Veseli.
Mësohet se Ndoji ka prej javësh që është në fokusin e këtij klubi dhe palët pritet të diskutojnë në ditët dhe javët në vijim. Problem mbetet kontrata që mesfushori shqiptar ka me klubin e Breshias, ku luan aktualisht. Ndoji ka rinovuar kontratën me Breshian deri në vitin 2020.
Dhe kjo shihet si pengesë që ai të zgjedhë një skuadër tjetër në mënyrë të njëanshme. Lojtari luan në Serinë B me këtë skuadër, por si futbollist ka dalë nga akademia e klubit të Romës. 1.2 milionë Euro ka shpenzuar Breshia për ta marrë Emanuele Ndojin nga Roma dhe nuk do ta lëshojë lehtë atë.
Kështu që shanset që mesfushori kuqezi të kalojë në gjirin e Empolit duken mjaft të pakta. Gjithsesi, në merkaton e janarit nuk përjashtohet të ketë surpriza në lidhje me mesfushorin shqiptar, sepse ai po ndiqet dhe nga klube të Serisë A. Ndoji është zgjedhur së fundmi si një prej 20 futbollistëve më të mirë të Serisë B.
Ai ka marrë notën 6.27 dhe konsiderohet si një lojtar që kryen disa funksione në repartin e mesfushës, madje mediumet sportive italiane e cilësojnë një “regjisor të mesfushës së Breshias”.