Marrë nga ABC News 21.02.2016 10:50
Elseid Hysaj është maratonisti i Napolit dhe shqiptari kërkon titullin në Itali, duke mos u ulur kurrë në stol. Në fakt, fillimi ishte i vështirë për të dhe për Napolin, pasi nuk ishte e lehtë përshtatja në një skuadër të madhe të Serisë A për Elseid Hysajn. Por tani që muajt kanë kaluar, bilanci është krejt tjetër.
Ai është sot një nga lojtarët më të mirë të njërës prej dy skuadrave më të mira në Itali. Mbrojtësi i kombëtares shqiptare cilësohet si një nga “maratonistët” e sezonit të ekipit që minimalisht pretendon vendin në Ligën e Kampioneve sezonin e ardhshëm, dhe maksimalisht, titullin.
Ka luajtur 24 nga 25 ndeshjet në kampionat, i ndaluar vetëm nga pezullimi në duelin në Romë ndaj Lacios. Ka luajtur një nga dy ndeshjet në Kupën e Italisë, si dhe katër në Ligën e Evropës. Me 29 sfida në fushë dhe 2426 minuta, Hysaj mbetet vetëm pas portierit Reina, Hamshikut, Kajehonit dhe Kulibalisë, si lojtari më i aktivizuar tek Napoli.
Vlera e tij ka kapërcyer nga 2.5 milionë euro kur debutoi në Serinë A me Empolin, në mbi 5 milionë kur u ble nga Napoli, dhe 9 milionë në janar, sipas faqes së specializuar për transferimet në Internet, “transfermarkt.de”. Agjenti i tij, Xhufredi, nuk është dakord dhe thotë se Hysaj tani vlen 20 milionë euro.
Dhe ndoshta ai nuk është shumë larg realitetit. Në media po shkruhet se deri edhe Bajerni i Ançelotit mund të jetë i interesuar për të dhe, padyshim, në verë priten oferta të mëdha për Elseid Hysajn. Pavarësisht famës që ka fituar, shkodrani 21-vjeçar nuk është nga ata që harron shpejt.
Paolo Tramexani, ndihmëstrajneri i kombëtares shqiptare, thotë se ai është i dashuruar me qytetin e Napolit, se e do shumë trajnerin Sarri dhe shokët e skuadrës, dhe se i thotë gjithnjë se po jeton në një realitet të jashtëzakonshëm. Vetë Elseid Hysaj është një realitet i rrallë i futbollit shqiptar, gati të bëhet një nga mbrojtësit e djathtë më të fortë të botës.