AlbanianSport.com 28/08/2021 20:25
ASNN – Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, Elseid Hysaj, ka zhvilluar këtë të shtunë një ndeshje mjaft të mirë me ekipin e Lacios, në përballjen që kryeqytetasit zhvilluan kundër Specias, sfidë kjo e vlefshme për javën e dytë të nivelit më të lartë të kampionatit italian të futbollit, Serinë A dhe që u fitua nga skuadra e shqiptarit me shifrat 6-1.
Në këtë fitore të lacialëve ka gdhendur emrin edhe mbrojtësi shkodran, i cili shënoi golin e 5-të për ekipin e Lacios. Shkodrani e nisi ndeshjen që nga minuta e parë, teksa në minutën e 70-të të takimit, ai mori mjaft bukur një top të dhënë nga Luis Alberto, duke u futur brenda zonës kundërshtare e duke shënuar golin e radhës për Lacion, që, deri në ato çaste, po kryesonte me shifrat 4-1.
Ky ishte goli i dytë në karrierën e mbrojtësit kuqezi në ndeshjet e zhvilluara me klubet në Serinë A, teksa golin e parë e ka shënuar me fanellën e Napolit, ndërsa goli i dytë erdhi ditën e sotme me Lazion. Kjo është ndeshja e dytë e shqiptarit me ekipin lacial.