AlbanianSport.com 25/12/2018 19:55
ASNN – Elseid Hysaj është përfolur në mënyrë të vazhdueshme për një ribashkim me ish-trajnerin e tij, Sarri, dhe për një zhvendosje në “Stemford Bridxh”, në Londër. Paralelisht, janë zhvilluar bisedime midis lojtarit dhe klubit napolitan për një rinovim kontrate. Megjithatë, e përditshmja prestigjioze sportive italiane, “Gazzetta dello Sport”, shkruante të hënën se mes Napolit dhe Elseid Hysajt nuk ka diskutime për rinovimin. Elseid Hysaj është njëri nga lojtarët më të spikatur të Kombëtares gjatë këtyre viteve të fundit, ndërsa paralelisht është konfirmuar edhe si një titullar i padiskutueshëm në Serinë A tek Napoli, sidomos nën drejtimin e ish-trajnerit të tij tek Empoli, Mauricio Sarri.
Por largimi i këtij të fundit drejt Premier Ligës Angleze, tek Çellsi dhe ardhja e Karlo Ançelotit tek stoli i Napolit, ka bërë që edhe mbrojtësi shqiptar i krahut të luhat në paraqitjen e tij, edhe për shkak të preferencave të ndryshme të trajnerit të ri. Përpos kësaj, shkodrani është përfolur në mënyrë të vazhdueshme për një ribashkim me ish-trajnerin e tij dhe për një zhvendosje në “Stemford Bridxh”, në Londër. Paralelisht, janë zhvilluar bisedime midis lojtarit dhe klubit napolitan për një rinovim kontrate, ndërsa nëpër media dhe në qarqet futbollistike, Hysaj vlerësohet në kufijtë e 40-50 milionë eurove.
Megjithatë, është e përditshmja prestigjioze sportive italiane, “Gazzetta dello Sport”, e cila shkruante të hënën se mes Napolit dhe Elseid Hysajt nuk ka diskutime për rinovimin. “Elseid Hysaj ka një akord deri në fund të vitit 2021, por rinovimi i tij për momentin duket shumë kompleks, pasi bisedimet janë ndërprerë”, – theksonte e përditshmja në fjalë. Interesimi i trajnerit të Çelsit, Mauricio Sarri, për të ardhmen e mbrojtësit shqiptar, ndërkohë që ka një pakt mes tij dhe presidentit të Napolit për të mos marrë më asnjë lojtar, ka bërë numrin një të klubit napolitan që të ndërpresë bisedimet me agjentin e shqiptarit për ta lënë pezull të ardhmen e tij.
Megjithatë, dihet që në situata të tilla, klubet synojnë të përfitojnë në maksimum nga një lojtar që vlerësohet kaq shumë financiarisht dhe për të cilin kanë shfaqur interesim edhe gjigandë të futbollit kontinental. Mbetet për t’u parë gjatë merkatos së janarit se cilat do të jenë zhvillimet e mëtejshme mbi çështjen e Hysajt.