AlbanianSport.com 27.10.2015 10:20
ASNN – Elseid Hysaj vazhdon të luajë si titullar me Napolin. Për mediat vendase, mbrojtësi shqiptar është një nga lojtarët vendimtarë në ecurinë pozitive të skuadrës së tij. Kur u transferua te Napoli, ata që dyshonin te cilësitë e tij ishin të shumtë. Edhe trajneri Françesko Sarri u pa me skepticizëm për këmbënguljen e tij për të marrë me vete nga Empoli, Elseid Hysaj. Por tani, mbrojtësi i Kombëtares shqiptare ka marrë revanshin, duke u kthyer në bastin e fituar të skuadrës dhe trajnerit të tij.
Futbollisti vazhdon të shkëlqejë me paraqitjet e tij në kampionatin italian. Titullar edhe në fitoren e Napolit, Hysaj po ndihmon ekipin e tij në ëndrrën për të ngritur në fund të sezonit titullin “kampion”. Jo më kot shkodrani është zgjedhur në analizën e “La Gazzetta Dello Sport” si një nga pikat më të forta në ecurinë pozitive të skuadrës napolitane. Me një Higuanin që zgjidh ndeshjet, duke shënuar në mënyrë konstante, Napoli ka zgjidhur edhe problemet në mbrojtje.
Nëse në edicionet e kaluara pësonte shumë, tani gjërat kanë ndryshuar. Kjo edhe për sigurinë që jep në krahun e djathtë Elseid Hysaj. Sipas të përditshmes së mirënjohur sportive italiane, mbrojtësi gabon pak duke ekzekutuar me përpikëri udhëzimet dhe skemat e trajnerit. Me paraqitjet e tij, Hysaj ka zbehur edhe zërat që kritikonin zgjedhjet e teknikut për të aktivizuar atë në vend të Kristian Maxhos, që deri në sezonin e shkuar ishte një lojtar formacioni.
Por ecuria e Napolit si pretendent i ka dhënë të drejtë Sarrit dhe nëse skuadra e tij fiton titullin, kjo do të ishte edhe meritë e Elseid Hysaj.