AlbanianSport.com 15/12/2018 23:05
ASNN – Fiorin Durmishaj ishte protagonist të shtunën në kampionatin grek, sepse realizoi golin e vetëm për Panioniosin në ndeshjen që luajti kundër PAS Janinës, skuadër ku aktivizohet shqiptari tjetër i Kombëtares kuqezi, Andi Lila. Durmishaj barazoi përkohësisht shifrat në minutën e 82-të, por goli i tij nuk vlejti për pikë, sepse Janina shënoi në minutën e 85-të golin e dytë dhe të fitores, duke bërë që Durmishaj dhe Panioniosi i tij të dalin pa pikë nga kjo përballje e radhës në kampionatin helen.
Nuk është hera e parë që Durmishaj luan mirë dhe shënon. Edhe mediat greke e cilësojnë atë si një prej lojtarëve kryesorë të skuadrës së Panioniosit, ndërsa pritet të kalojë në merkaton e dimrit në radhët e Olimpiakosit në Athinë. Kanë qenë vetë drejtuesit e klubit të famshëm grek që kanë shprehur intersim që sulmuesi shqiptar të veshë bluzën e tyre në periudhën tranzitore dimërore. Nga Spanja ishte një tjetër kuqezi që shkëlqeu të shtunën.
Rei Manaj ishte “mbret” në fitoren e skuadrës së tij, Albasetes, në duelin ndaj Numansias në ligën e dytë spanjolle. Manaj shënoi në fillim të ndeshjes me 11-metërsh, duke i dhënë epërsinë ekipit të tij, por edhe në tërësi loja e tij ishte mjaft e mirë dhe ai pati merita në këtë sukses. Menjëherë pas takimit Manaj dha komentin e tij për lojën dhe rezultatin, duke thënë se Albasete është në rrugën e duhur dhe se ai po përpiqej të jepte maksimumin e tij për të pasur një vend nderi në renditje.
Dhe faktikisht, Albasete e Manajt është në vend të dytë në La Ligën spanjolle, me pretendime për t’u ngjitur në kampionatin elitar spanjoll sezonin e ardhshëm. Ndërkohë, pas një periudhe aspak pozitive si pasojë e një dëmtimi të gjatë dhe aktivizimi të paktë, më në fund Liridon Latifi kthehet të tregojë vlerat e tij teknike. Edhe pse u fut në fushë si zëvendësues, atij i mjaftuan pak minuta që t’i japë fitoren skuadrës së tij, këtë herë jo duke shënuar vetë, por duke dhënë pasimet për gol në të dy rastet e shënimit.
Kështu, Latifi dha pasimin e fundit ideal për shokët e skuadrës që shënuan golat në fitoren 2-0 të Pushkash Akademisë në përballjen me Mezokovesd-Zsory. Në fund të ndeshjes Latifi, edhe pse luajti vetëm 32 minuta, u vlerësua me notë të lartë nga specialistët, pasi rezultoi vendimtar me lojën dhe pasat e tij të përsosur në suksesin e Pushkash Akademisë.