AlbanianSport.com 09/03/2019 22:05
ASNN – Legjionarët në Serinë B, Memushaj “mbret” i pasimeve ideale, Dermaku lider, Ndoji fiton edhe me kritika. Në nivelin e dytë të Kampionatit Italian të Futbollit luajnë disa lojtarë të përfaqësueses kuqezi, të cilët kanë një shans në duelin kundër Turqisë më 22 mars 2019. Padyshim, vëmendja është tek veteran Ledian memushaj, i cili është pjesë e Peskarës. Skuadra e tij humbi të shtunën me Çitadellën 4-1.
Por mesfushori vlonjat e la gjurmën e tij me një pasim për golin e vetëm që shënoi Peskara në këtë përballje. Edhe pse humbi, vlerësimi për Memushajn ishte shumë i mirë. Ndërkohë, në fushë u përballën të shtunën dy fubollistë të rinj të përfaqësueses kuqezi, Kastriot Dermaku i Kozencës me Emanuele Ndojin e Breshias. Fitoi skuadra e këtij të fundit 3-2.
Por Dermaku bëri një paraqitje mjaft të mirë dhe u vlerësua mjaft pozitivisht, duke marrë edhe nofkën e liderit në skuadrën e Kozencës. Nga ana tjetër, Breshia e Ndojit fitoi, por vetë mesfushori kuqezi nuk mori notë të lartë dhe në këtë ndeshje gaboi në disa momente. Duke parë ecurinë e lojtarëve në fjalë mund të arrijmë në konkluzionin që trajneri Kristian Panuçi ka të drejtë t’u bëjë ftesë.
Aepse ata luajnë në nivel mbi mesatar për rendimentin që ka Serie B dhe liga e dytë italiane ka më shumë cilësi se disa kampionate elitare ku luajnë një pjesë e lojtarëve kuqezinj si në Ballkan apo vendet nordike. Mbetet të shihet paraqitja e tyre në Kombëtare, por minutazhi që kanë me skuadrat tyre dhe niveli teknik, shoqëruar dhe me formën e mirë sportive në këtë moment janë dëshmi e sinjaleve pozitive edhe për Kombëtaren.