AlbanianSport.com 24/12/2018 12:55
ASNN – Mediat greke raportojnë se sulmuesi shqiptar Fiorin Durmishaj ka rënë në “radarët” e një klubi skandinav por nuk e zbulojnë emrin e tij. Madje janë pikërisht mediat helene që shkruajnë se klubi në fjalë po insiston të ketë bisedime të shpejta e të mbyllet me një kontratë, por se bisedimet për momentin po i mban peng klubi i njohur grek, Olimpiakosi.
Bisedimet kanë avancuar dhe Durmishaj është vënë në dijeni dhe po përpiqet të zgjidhë situatën. 22-vjeçari shqiptar po pret, në fakt, fjalën e fundit të Olimpiakosit. Madje dhe klubi skandinav është vënë në dijeni për këtë. Të gjithë palët presin lëvizjen e radhës së skuadrës së madhe të Athinës. Nëse marrëveshja me Olimpiakosin nuk konkretizohet, atëherë mbetet që Durmishaj të vlerësojë seriozisht opsionin skandinav.
E habitshme është se të dy palët po e mbajnë sekret këtë negociatë. Sulmuesi ka bërë paraqitje vërtet mbresëlënëse me Panioniosin dhe është ndër më të spikaturit në Greqi. Ai është ftuar herën e fundit në Kombëtare por mungoi për shkak të shërbimit të detyrueshëm ushtarak që po kryen në Greqi dhe ku nuk i lejohet të dalë jashtë kufijve të Greqisë.
Fakti që për të po interesohet së fundmi një klub jashtë kampionatit helen, është diçka pozitive për sulmuesin kuqezi. Qëndrimi në këtë formë i sulmuesit shqiptar është dëshmi e një presioni që ai po i bën Olimpiakosit, i cili duhet të marrë një vendim të shpejtë në lidhje me mundësinë e transferimit të shqiptarit në Athinë, në radhët e klubit të madh të Pireut.