AlbanianSport.com 07/02/2019 10:40
ASNN – Në takimin e zhvilluar në kuadër të çerekfinaleve të Kupës së Greqisë, Fiorin Durmishaj bëri një paraqitje mjaft të mirë me skuadrën e tij, Panioniosin përballë skuadrës së PAOK-ut të Selanikut. Ishte pikërisht paraqitja e Durmishajt që solli fitoren 2-1 të skuadrës së tij dhe, pavarsisht, se dueli mbetet i hapur për në gjysmëfinale, duhet pranuar se falë shqiptarit Panionios është tani më pranë suksesit në këtë veprimtari.
Në fillim shënuan lojtarët e PAOK-ut, por Fiorin Durmishaj do të barazonte shifrat 1-1 me një supergol, duke kthyer në lojë ekipin e Panioniosit, i cili gjeti më pas golin e fitores në minutën e 90-të, duke fituar takimin 2-1. Përtej përshkrimit me ngjyra ndezëse të mediave sportive greke që ia faturojnë këtë sukses sulmuesit shqiptar, duhet theksuar se Durmishaj prej disa javësh është në formë të shkëlqyer.
Dhe ai po jep ndihmesë në rezultatet pozitive të skuadrës së Panioniosit. Thuajse në çdo ndeshje talenti me origjinë nga Vlora shënon gola, jep pasime ideale dhe ka kontribut thelbësor në aksionet e ekipit në fushën e lojës. Këtë gjë e kanë evidentuar prej ditësh të gjitha mediat sportive greke. Mbetet të shihet në ditët në vijim sjellja e trajnerit Kristian Panuçi.
Por me këtë paraqitje me siguri që trajneri italian i përfaqësueses do ta ftojë atë për ndeshjen ndaj Turqisë në fund të muajit mars. Me formën që po kalon dhe me golat e rëndësishëm për Panioniosin, Durmishaj mund të ketë ndikim pozitiv edhe në Kombëtare dhe aktivizimi i tij pritet me mjaft interes.