AlbanianSport.com 10/01/2019 18:40
ASNN – Merret vendimi për Sindrit Gurin, Ostende ka nevojë për sulmuesin shqiptar. Klubi i Ostendes në kampionatin elitar belg ka qartësuar një herë e mirë pozicionin e sulmuesit shqiptar Sindrit Guri, duke thënë se ai do të vijojë të jetë pjesë e skuadrës edhe për muajt në vazhdim. Edhe pse klubi ka bërë një lëvizje të orës së fundit, duke sjellë një sulmues në formacion, sërish drejtuesit kanë vendosur që asnjë nga lojtarët e mëparshëm të këtij reparti të mos largohen.
Përfshi këtu edhe Gurin që shihet i nevojshëm. Ka qenë pikërisht drejtori sportiv i Ostendes, Hugo Bros, i cili bëri me dije se Sindrit Guri do të vazhdojë të qëndrojë te klubi belg dhe se ai ka cfarë të tregojë në vazhdim, pasi është lojtar i sprovuar, duke pasur parasysh që në edicionin e kaluar shënoi 27 gola në Shqipëri, prej të cilëve 20 gola në kampionat. Ardhja e sulmuesit Tom De Suter në skuadër, duket se për Gurin nuk ndryshon gjë.
Edhe pse mediat belge spekulonin se kjo lëvizje nënkupton largimin e Gurit, drejtori sportive Bros tha se çdo mundësi për largimin e shqiptarit bie poshtë dhe Ostende e ka atë pjesë të organikës së vet. Ai tha gjithashtu se në skuadër ka vend për 4 sulmues dhe asnjëri mes Gurit, Sakalës dhe Zivkoviç nuk ka nevojë të largohet për t’i lënë vend De Suterit. “Asnjë sulmues nuk duhet të largohet për të bërë hapësirë për Tomin, por do të jemi me katër sulmues”, – tha Brosin.
“E di që Guri shënoi vetëm një gol, – theksoi ndër të tjera drejtori sportiv i Ostendes, Hugo Bros, – por i japim atij edhe pak kohë. E njohim mirë se kush është, pasi të realizosh 27 gola në Shqipëri në një vit, tregon se di të shënosh dhe Sindrit Guri është lojtar që e njeh golin dhe skuadra ka nevojë për të.”