AlbanianSport.com 08/01/2019 19:50
ASNN – Kampionati grek po kalon një periudhë pasigurie, dëshmuar me ulje-ngritje në paraqitjen e klubeve dhe njëherësh me kriza financiare që dalin nga hiçi e bëhen shqetësuese për futbollin kombëtar grek. Megjithatë, për shumë futbollistë shqiptarë klubet greke kanë qenë një preferencë, sikurse ndodhi me Migjen Bashën që zgjodhi këtë sezon të bëhet pjesë e Arisit të Selanikut. Natyrisht, shumë lojtarë të rinj me origjinë shqiptare militojnë në klubet e ndryshme të kampionatit helen të futbollit.
Madje dhe mbrojtësi Mërgim Mavraj u bë pjesë e skuadrës së Arisit të Selanikut në pjesën e parë të sezonit, por rasti më i parë për të ndryshuar destinancion solli largimin e tij nga qyteti i dytë më i madh i Greqisë dhe u kthye në Bundesligën gjermane, si të thuash në “shtëpinë e tij”. kampionati grek, ambienti, terreni dhe mentaliteti i futbollit në vendin fqinj të Shqipërisë nuk i përshtatej futbollistit me origjinë nga Kosova. Por muajt e Mavrajt në radhët e klubit grek nuk qenë pozitive.
Dhe kjo lëvizje e tij ishte e mirëkuptuar. Mbrojtësi i përfaqësueses së Shqipërisë nuk la gjurmë pozitive dhe mediat greke e quajnë dështim. Kështu, në një analizë të lojtarëve të ardhur me bujë në merkaton e verës dhe që nuk përmbushën pritshmëritë, Mërgim Mavraj cilësohet dështimi i dytë më i madh, pas Jaja Tures së Olimpiakosit. Edhe ky i fundit u largua nga klubi i kryeqytetit grek, sepse ishte nën nivelin e tij.
“Ture dhe Mavraj janë dështime, nuk përmbushën asgjë nga pritshmëritë e tyre dhe pavarësisht se erdhën me shumë bujë, për të bërë diferencë, paraqitja e tyre la për të dëshiruar, gjë që solli dhe largimin e tyre të parakohshëm”, – shkruajnë mediat sportive helene. Mavraj u kthye në Bundesligën 2, ku u bë pjesë e Ingolshtadtit, skuadër që mban vendin e fundit në renditje, por që drejtuesit, me afrimin e Mavrajt besojnë të rikuperojë forcat për pjesën e dytë të sezonit.