AlbanianSport.com 23/04/2019 18:35
ASNN – Kastriot Dermaku po kalon një moment të mirë me Kozencën në Serinë B, teksa ka shënuar golin e parë në ligën e dytë italiane, duke i dhënë 3 pikët ekipit të tij në përballjen me Specian. Në fakt, mbrojtësi me origjinë nga Kosova ka qenë një titullar fiks në formacionin e skuadrës së tij dhe ka bërë një sezon mjaft pozitiv.
Ndërkohë, forma e mirë që po kalon dhe pritshmëritë e larta, kanë bërë që futbollisti të kërkojë vëmendjen e trajnerit Edi Reja. Siç dihet, Dermaku “braktisi” përfaqësuesen e Kosovës për atë të Shqipërisë dhe synon që me ardhjen e trajnerit Reja të ketë një ftesë. Madje, duke folur për mediat italiane pas ndeshjes së fundit të Kozencës, ai e deklaroi kërkesën e tij edhe publikisht.
Ka luajtur vetëm një ndeshje me përfaqësuesen kuqezi, atë ndaj Jordanisë në miqësore, por tani dëshiron të ketë një shans. Së pari Dermaku foli për golin dhe fitoren e Kozencës ndaj Specias. “Jam i lumtur, ishte goli im i parë në Serinë B, – theksoi kosovari i kombëtares kuqezi, nuk e prisja një sezon të tillë, asnjë ndeshje nuk ka qenë e lehtë por në fund kemi arritur t’i marrim pikët.”
“Rreth Kombëtares e dija që do të ishte e vështirë, u afruan mbrojtës të tjerë, por nëse me vjen telefonata jam gjithnjë i gatshëm”, – ka përfunduar futbollisti shqiptar i Kozencës.