AlbanianSport.com 29.05.2015 12:55
Fundi i sezonit 2014/2015 ka qenë i pafat për Mërgim Mavrajn, i cili ka marrë një lajm të keq, që shqetëson jashtëzakonisht edhe kombëtaren shqiptare. Një dëmtim në gju na lë për ndeshjet e ardhshme pa titullarin e qendrës së mbrojtjes. Ende nuk është zyrtare, por burime nga klubi i Këlnit thonë se mbrojtësi ka një dëmtim serioz. Drejtuesit e Këlnit thonë se gjysma e të keqes është fakti që do të humbasë vetëm fillimin e sezonit të ardhshëm.
Megjithatë, për Kombëtaren kuqezi, ky është një lajm shumë i keq, sepse do të bëjë pa Mavrajn në të gjitha ndeshjet e ardhshme eliminatore. Trajnerit De Biazi i mbetet tani të zëvendësojë atë që për të gjithë mbetet i pazëvendësueshëm. Në 22 ndeshje të luajtura me përfaqësuesen kuqezi, Mavraj ka luajtur 21 herë titullar, pa u zëvendësuar asnjëherë. Këtë sezon te Këlni mbrojtësi 28-vjeçar ka luajtur 17 ndeshje mes kampionatit e kupës.
Por, me Kombëtaren ka qenë i paprekshëm dhe së fundi ka shënuar edhe dy gola me shumë rëndësi: në Francë në miqësoren e fundvitit të shkuar dhe kundër Armenisë në fitoren e madhe në fund të marsit. Përtej llogarive të ftohta për Kombëtaren që rrezikon të humbasë kështu një ndër pikat kryesore të referimit në mbrojtje, lajmi i dëmtimit për Mavrajn është vërtet trishtues. Fjala e fundit nuk është thënë ende, por gjasat që Mavraj ta kalojë shpejt dëmtimi, pra para shtatorit kur nis sezoni i ri, janë të pakta.