Adriatik Balla 29.05.2015 17:05
Lojtarët e Kombëtares tonë po mbyllin një sezon fantastik me skuadrat e tyre dhe shumica e futbollistëve kanë qenë liderë me ekipet e tyre në Evropë dhe më gjerë, duke bindur edhe trajnerin e përfaqësueses, Xhovani De Biazi, se po kalojnë një moment të mirë. Madje lojtarët kuqezinj janë mjaft të kërkuar në merkato, duke pasur parasysh faktin e janë skuadra të rëndësishme evropiane që interesohen për shërbimet e tyre.
Por në këto ditë kur lajmet për merkaton shtohen, vjen dhe një informacion trishtues, që ka të bëjë me dëmtimin e njërit prej lojtarëve kryesorë të përfaqësueses tonë, mbrojtësit
Mërgim Mavraj. Kosovari është dëmtuar në gju dhe do të mungojë për disa muaj dhe me gjasë nuk do të jetë i gatshëm deri në muajin nëntor, që do të thotë se trajneri De Biazi nuk mund ta ketë në dispozicion mbrojtësin për ndeshjet e Shqipërisë në ndeshjet e mbetura në grupin I të Eliminatoreve.
Mungesa e tij është e rëndësishme dhe vështirë se ndonjë lojtar tjetër do ta mbulojë këtë pozicion të Mavrajt në fushë. Mavraj ka qenë siguri e madhe në skuadër dhe madje ka dhënë ndihmesë të madhe edhe në sulm gjatë ndeshjeve të luajtura në këtë sezon, sepse luan mjaft mirë me kokë gjatë goditjeve standarde nga këndi apo goditjet e lira. Fjala e fundit nuk është thënë ende, por gjasat që Mavraj ta kalojë shpejt dëmtimi, pra para shtatorit kur nis sezoni i ri, janë të pakta.