Adriatik Balla 09.06.2015 12:15
Talenti me origjinë shqiptare i lindur në Osnabryk të Gjermanisëdhe produkt i shkollës së famshme të futbollit, Shalke 04-rës, Donis Avdijaj, prej kohësh ka përfunduar në dëshirat e tifozëve të Kombëtares Shqiptare. Sulmuesi që ka luajtur me Kombëtaret e moshave të Gjermanisë, për muaj të tërë ka përfunduar në axhendën e drejtuesve të futbollit në Shqipëri.
Më parë 19-vjeçarit i është bërë një kërkesë nga trajneri i Nën-21-vjeçarëve Skënder Gega t’i bashkohet skuadrës që ai drejton, por Donis Avdijaj vendosi si kusht për të veshur fanellën e skuadrës A. Me huazimin e tij tek Shturmi i Gracit në kampionatin austriak dhe lojën e zhvilluar aty, Avdijaj është rikthyer në vëmendjen e kuqezinjve, teksa De Biazi vendosi ta grumbullojë për këtë test miqësor shumë të rëndësishëm.
Përgjigja e futbollistit ka qenë negative dhe gjithçka e sqaron me pak fjalë vetë dhe gjithçka e ka sqaruar me pak fjalë vetë trajneri kuqezi në konferencën e djeshme për shtyp. “Avdijajn e kam thërritur për këtë ndeshje pasi dëshiroj ta integroj me grupin dhe ambientin, – tha De Biazi. – Menaxheri i tij më tha që është i lodhur nga sezoni pasi ka patur probleme fizike gjatë edicionit dhe nuk mund të vijë në këtë grumbullim.”
“Këtë më tha menaxheri i tij por mendoj se ai nuk dëshiron të vijë me ne”, – përfundoi trajneri i Kombëtares së Shqipërisë, Xhovani De Biazi, duke lënë të kuptuar se talenti Donis Avdiaj nuk është i sinqertë në qëndrimin e tij.