AlbanianSport.com 14.01.2016 08:35
ASNN – Sokol Cikalleshi shënon dy gola të tjerë në kupën e Turqisë dhe i jep kualifikimin Bashaksehirsporit. Për fatin e mirë të Kombëtares kuqezi, të paktën sezoni i tij është pozitiv. Sokol Cikalleshi i shtoi edhe dy gola të tjerë vetes, duke i dhënë kualifikimin skuadrës në Kupën e Turqisë.
Ishte ai njeriu që siguroi suksesin e Bashaksehirsporit në stadiumin e Bandërmasporit, takim ku u shënuan vetëm dy gola, pikërisht ata të tijtë. Sulmuesi 23-vjeçar ishte në vendin e duhur në fund të pjesës së parë, dhe në fillim të së dytës, duke e çuar numrin e golave të tij në Kupën e Turqisë në 6.
Dhe kjo, në vetëm 4 ndeshje. Bashaksehirspor u ngjit në kuotën e 10 pikëve, në krye të grupit të tij dhe hyri në mes të 16 skuadrave më të mira të kësaj veprimtarie. Kavajasi ka shënuar më pak në kampionat, por gjithsesi po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm për trajnerin e tij Abdullah Avxhi.
Për më tepër, ai po luan rregullisht dhe po shënon mjaft në sezonin e parë në futbollin turk, duke u përshtatur shumë shpejt. Tifozët e kombëtares shpresojnë që ky edicion shumë i mirë ta ndihmojë Cikalleshin që të shkëlqejë për Shqipërinë në Kampionatin Evropian “Francë 2016”.