AlbanianSport.com 04/12/2018 17:25
ASNN – Sulmuesi Sokol Cikalleshi ishte protagonist të martën në duelin që skuadra e tij turke Gëztepe fitoi 0-3 ndaj Nazëllësporit në Kupën e Turqisë. Ishte pikërisht sulmuesi shqiptar që rezultoi vendimtar me paraqitjen dhe golin e tij, sepse i hapi rrugën e fitores skuadrës së tij. Kavajasi realizoi me mjaft finesë në minutën e 12-të, ku nga rrjedha e aksionit në krahun e djathtë, topi përfundon në këmbët e gjigantit të sulmit kuqezi dhe me një lëvizje të shpejtë e një gjuajtje të fortë ai e dërgon topin në rrjetë.
Ky gol e ndihmoi psikologjikisht skuadrën e Gëztepesë, e cila realizoi edhe dy herë të tjera në këtë takim, por vetëm në minutat shtesë. Paraqitja e mirë e Cikalleshit u vlerësua edhe nga tifozeria e skuadrës, e cila u ngrit në këmbë për ta duartrokitur në minutën e 75-të, kur kavajasi u zëvendësua dhe la fushën e lojës. Në fakt, Kupa e Turqisë është veprimtaria ku Cikalleshi ka shënuar më shumë, plot 14 gola. Për këtë edicion, në dy ndeshje që është aktivizuar në Kupë, ka shënuar dy gola.
Dhe me koeficient 1 gol për çdo ndeshje të kupës ai është plotësisht i justifikuar me paraqitjen dhe finalizimet e tij. Kjo ecuri pozitive mund të jetë një sinjal i fortë dhe për trajnerin Kristian Panuçi, i cili ka vuajtur në drejtimin e skuadrës që të ketë në dispozicion sulmues që realizojnë shumë gola. Si Sadiku, ashtu edhe Cikalleshi kanë qenë të dëmtuar dhe kjo e penalizoi mjaft Shqipërinë në Ligën e Kombeve. Rikthimi i Cikalleshit me gol shënon një moment pozitiv për lojtarin, por edhe për përfaqësuesen kuqezi.