Adriatik Balla 17.06.2015 12:15
Lojtarët e Kombëtares mbyllën një sezon fantastik me ekipet e tyre në Evropë dhe më gjerë, duke spikatur për shpirtin e lartë të garës, cilësitë teknike dhe për paraqitjen në rritje, gjë që ka sjellë një interesim të pazakontë të klubeve evropiane për lojtarët e përfaqësueses kuqezi. Një pjesë prej tyre e kanë bërë tashmë zgjedhjen e tyre dhe pritet vetëm të zbresin në fushë.
Ndërsa një pjesë tjetër janë duke negociuar me klubet e reja për kushtet kontraktuale. Padyshim që merkato është në hapat e parë dhe të tjera surpriza do të ketë në ditët dhe javët në vazhdim, nisur dhe nga interesimi një rritje i klubeve të mëdha. Për momentin vëmendja është përqendruar tek lojtarët e përfaqësueses që luajnë në kampionatin italian, por një pjesë e futbollistëve nuk kanë qenë lakmitarë, janë ngopur me lëvizje që janë thjesht një stad më i lartë se ku ishin më parë.
Kështu, sulmuesi Sokol Çikalleshi, që luajti sezonin e kaluar me RNK Split në Kroaci, tashmë është bërë pjesë e Superligës turke, konkretisht me skuadrën e Istanbul Bashaksehir, ku do të fitojë 500 mijë euro në sezon. Kavajasi kaloi me sukses të gjitha testimet dhe dje ishte zyrtarizimi i tij me klubin e njohur turk, i cili ka bërë progres të rëndësishëm gjatë viteve të fundit.
Kuptohet, Çikalleshi e dëshiron klubin turk për të bërë një hap cilësor në karrierë, pra si trampolinë drejt një klubi të madh turk ose në një klub elitar evropian, gjë që do t’i jepte më shumë përparësi. E vërteta është se ai po kalon një moment të shkëlqyer, ka potencial të madh dhe këtë e ka evidentuar edhe në ndeshjet e skuadrës kombëtare në këtë edicion eliminator të Kampionatit të ardhshëm Evropian “Francë 2016”.
Në fakt, Sokol Çikalleshi ka kaluar me sukses testet mjekësore te skuadra turke Istanbul Bashaksehir, ku do të aktivizohet për tre sezonet e ardhshme. Vetëm tre ditë pas miqësores me Francën në Elbasan Arena, sulmuesi kuqezi udhëtoi drejt Stambollit për të mbyllur gjithçka me skuadrën e tij të re, që u tregua e gatshme për të paguar rreth 1.8 milionë Euro për kartonin e tij.
Sipas mediave turke Çikalleshi ka kryer kontrolle të imtësishme mjekësore, pasi skuadra turke dëshiron të evitojë çdo të papritur, që mund të rrezikojë një investim kaq të madh. 24-vjeçari pritet të firmosë një kontratë trevjeçare me skuadrën që e mbyll sezon në vendin e katërt në elitën e futbollit turk. Istanbul Bashaksehir merr pjesë në Ligën e Evropës, nga ku do ta nisë nga raundi i tretë paraeliminator.
Për të fituar vendin e titullarit në skuadër Çikalleshi duhet të mposhtë konkurrencën e Semih Senturk, ish-lojtarit të Fenerbahçesë dhe kombëtares turke si dhe të francezit Zheremi Perbet, që në të kaluarën ka mbajtur veshur fanellën e Vijarealit. Flitet se nga kontrata me Istanbul Bashaksehirit, Çikalleshi do të përfitojë rreth 500 mijë Euro në sezon.