AlbanianSport.com 08.01.2017 12:30
ASNN – Saga vazhdon, thjesht ndryshon emri. Kështu pra, shtohet numri i skuadrave që kërkojnë të kenë shërbimet e sulmuesit të Kombëtares Shqiptare, Rei Manaj. Pas Las Palmasit në Spanjë dhe Empolit e Peruxhias në Itali, së fundmi në garë për të firmosur me 19-vjecarin ka hyrë edhe Çezena.
Një gjë të tillë e raporton e përditshmja e mirënjohur sportive italiane “Gazzetta Dello Sport”. Manaj është aktualisht pjesë e Peskarës, tek e cila u aktivizua në gjysmën e parë të sezonit në formë huazimi. Por, sipas të gjitha gjasave, lojtari kuqezi do të largohet nga Stadiumi “Adriatiko” në këtë merkato të janarit.
Manaj do të rikthehet fillimisht te Interi që është edhe klubi që zotëron kartonin e tij, për t’u huazuar më pas në një tjetër skuadër. Mbase Seria B nuk do ishte një zgjedhje e keqe për lojtarin, pasi në këtë kampionat, 19-vjecari do të ketë mundësi të aktivizohet rregullisht dhe të fitojë më shumë përvojë.
Çezena e pati kërkuar dhe 1 vit më parë Manajn, pikërisht në merkaton e janarit, por në atë periudhë, futbollisti i ri shqiptar vendosi të qëndronte te Interi. Tashmë skuadra romane interesohet sërish për futbollistin e Kombëtares kuqezi dhe mundësitë që Manaj të transferohet në stadiumin “Dino Manuzzi” ekzistojnë.
Edhe pse Las Palmas në Spanjë vazhdon të mbetet favorite kryesore për të marrë shërbimet e tij. Me Peskarën, Manaj është aktivizuar në total në 12 ndeshje të Serisë A, duke realizuar dhe 2 gola. Por ai ka patur probleme me trajnerin Masimo Odo, çka ka bërë që futbollisti i ri shqiptar të kërkojë largimin.