AlbanianSport.com 26.11.2014 17:05
ASNN – “Jam shumë i lumtur – ka deklaruar Endri Çekiçi për mediat kroate të pranishme në ceremoninë e nënshkrimit të kontratës profesioniste, – edhe për atë se kjo është dhurata më e bukur për ditëlindjen time. Firmosja e një kontrate të tillë e bën të lumtur çdo lojtar shumë më tepër një të moshës sime. Që kur kam ardhur tek Dinamo e kam menduar ardhjen e një dite si kjo, por nëse jam këtu tashmë kjo ka ardhur edhe për atë se të gjithë kanë treguar kujdes për mua si lojtar. Që nga koha edhe kur luaja me ekipet e moshave të këtij klubi të njohur.”
“Për ta mbyllur, – është shprehur pogradecari – jam tejet i mrekulluar që të dy palët kemi rënë dakord për zgjatjen edhe për pesë vite të tjera të bashkëpunimit tonë”. Me superlative janë shprehur për Endri Çekiçin edhe drejtuesit kroat, sidomos presidenti i Dinamos së Zagrebit, Zdravko Mamiç, i cili ka treguar se e kanë pëlqyer këtë futbollist që në kohën kur ka ardhur nga Teuta e Durrësit. “Sepse e kemi ditur mirë që kemi të bëjmë me një futbollist me të ardhme të shkëlqyer, – ka thënë ai. – Dhe më vjen mirë që gjithçka e parashikuar ka dalë ashtu siç e kishim menduar.”
Duke u ndalur tek loja e Çekiçit, “bosi” i klubit të Dinamos tha se lojtari është i shkëlqyer në krahun e djathtë në lojen “një për një”. “Por mbi të gjitha është një lojtar i radhë për sa i përket goditjeve standarde, por dhe elementëve të tjera të lojës”, – ka theksuar Mamiç. Më tej “bosi” i kësaj skuadre u ka bërë të ditur gazetarëve kroatë se Çekiçi është vetëm një nga ata futbollistë të shumtë të talentuar që kanë lëshuar firmë për ekipin kroat.