AlbanianSport.com 21.12.2014 17:20
ASNN – Ka qenë ditë golash e lojtarëve shqiptarë e shtuna në Serinë B të futbollit italian.
Edgar Çani ka shënuar golin e parë në barazimin 2-2 të Katanias me Breshian, duke u dhënë një pikë të çmuar sicilianëve, që janë ende pranë zonës së rënies nga kategoria.
Për sulmuesin shqiptar ky është goli i tretë sezonal. Nuk ka munguar në shënjestër as Ledian Memushaj.
Mesfushori që aktivizohet me Peskarën, ka qenë autori i golit të parë në sfidën e zhvilluar në fushën e Peruxhias, që përfundoi në barazim 2-2.
Memushaj u tregua i vëmendshëm kur portieri vendas grushtoi 11-metërshin e Manieros, duke e goditur menjëherë.
Si Edgar Çani dhe Ledian Memushaj e kanë veshur, ndonëse jo rregullisht, fanellën e Kombëtares shqiptare.