Adriatik Balla 02.06.2015 18:55
Duke folur për gazetën e njohur franceze “L’Equipe”, kapiteni i Kombëtares kuqezi dhe futbollisti i Lacios në kampionatin italian, Lorik Cana, nuk la jashtë vëmendjes ndeshjen me Napolin, arritjet e Lacios dhe natyrisht ambiciet e tij. “Çmenduri, kjo është më e pakta që mund të thuash! – ka deklaruar ai. – Kjo i kalon të gjitha. Në fillim ishim shumë afër kualifikimit për në “play-off” të Ligës së Kampioneve, pastaj shumë afër për të humbur vendin e tretë.”
“Por, duke parë ecurinë tonë, unë mendoj se e merituam të përfundonim në podium dhe është mirë që kjo përfundoi kështu për ekipin, – ka vijuar Cana. – Kur ti ke një fund kampionati të komplikuar, në të cilin të luan gjithë sezonin, kjo nuk është e lehtë. E kishim humbur tashmë finalen e Kupës së Italisë përballë Juventus-it (1-2, në kohën shtesë) si të gjitha ndeshjet e rëndësishme këtë sezon dhe imazhi i derbit përballë Roma-s, të hënën e fundit, apo në momentin kur mund të merrnim një barazim, e përfunduam gjithashtu me një humbje (1-2).”
“Kur ti ke bërë 90 apo 95 % të punës, duhet të dish dhe ta ruash atë, – ka vijuar qendërmbrojtësi. – Dhe më në fund, kjo u kthye në favorin tonë dhe është një kënaqësi
e mrekullueshme për të gjithë ekipin.” Më pas kapiteni i Kombëtares Shqiptare të Futbollit, vuri theksin tek presioni i madh gjatë garës dhe sidomos në takimin e fundit. “E dinim që kishte presion në Romë rreth rezultateve të ekipit”, – ka pohuar ai për “L’Equipe”.
“Kur ti punon gjithë vitin dhe merr një kënaqësi, ishte një qetësim për të gjithë: për ata që luanin dhe për ata që nuk luanin. Ne ishim të gjithë pjesë e këtij rezultati dhe ishte me të vërtet një krenari e madhe duke e çuar Lacion në podium”, – përfundoi kapiteni i Kombëtares kuqezi dhe futbollisti i Lacios në kampionatin italian, Lorik Cana, duke folur për të përditshmen sportive franceze në fjalë.