AlbanianSport.com 24/10/2021 21:40
ASNN – Armando Broja duket se nuk ka ndërmend të ndalet. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare është bërë sërish protagonist ditën e shtunë me klubin e tij, Sauthemptonin, në Premier Ligën Angleze, duke arritur të shënojë golin e epërsisë 2-1 në minutën e 50-të të takimit. Por fatkeqësisht ky gol ka vlejtur vetëm një pikë, pasi ndeshja u mbyll në barazim 2-2.
Broja, i cili u aktivizua sërish si titullar në këtë ndeshje, ka lënë gjurmën e tij në ndeshjen që Sauthemptoni zhvilloi ndaj Bërnlit, teksa me fillimin e pjesës së dytë, arrin të shfrytëzojë mjaft bukur një top të dhënë nga Diallo, ndërsa futet shumë shpejt brenda zonës duke kaluar kundërshtarët dhe shënon golin e epërsi për momentin për vendasit.
Shqiptari do të luante deri në minutën e 79-të të takimit, kur edhe do të zëvendësohej nga Çe Adams. Sipas faqeve të Internetit, të specializuara për statistika, Armando Broja është vlerësuar me notën 7 në këtë ndeshje. Një ndeshje e shkëlqyer kjo për sulmuesin kuqezi, i cili po tregon vlerat e tij në një nga kampionatet më të forta në botë siç është Premier Ligën Angleze.