AlbanianSport.com 25/08/2021 21:20
ASNN – Armando Broja ka realizuar dy gola në debutimin e tij me skuadrën e re Sauthemptonin, që, të mërkurën në mbrëmje ka triumfuar e thellë, 8-0 ndaj Njuport Kauntit në kuadër të Kupës së Ligës Angleze. Shqiptari realizoi golin e parë për Sauthemptonin, në minutën e 9-të, dhe të 6-tin, në minutën e 57-të. Ai luajti 65 minuta.
Kështu, Armando Broja e ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme aventurën e tij te skuadra e Sauthemptonit. Sulmuesi shqiptar ka shënuar që në minutat e parë të debutimit të tij me klubin e Premier Ligës Angleze, aty ku është huazuar nga Çellsi. Në ndeshjen e Kupës së Ligës ndaj Njuport, Broja ishte rreshtuar mes titullarëve nga trajneri Ralf Hasenhutl, për të treguar formën e tij dhe ai nuk ka zhgënjyer.
Që në minutën e 9-të të sfidës, sulmuesi kuqezi ka përshëndetur rrjetën, duke i dhënë epërsinë skuadrës së tij në këtë sfidë. Ai tregoi nuhatje të mirë para portës pasi një gjuajtje e Redmondit u ndal nga shtylla horizontale dhe ndoqi aksionin, duke e shtyrë në rrjetë topin që u kthye në lojë. Në minutën e 57 erdhi edhe goli i dytë personal me një gjuajtje të fortë brenda zonës për sulmuesin shqiptar.
Kësisoj, shtatlarti e bëri të qartë në këtë mënyrë se këtë fanellë titullari e kërkonte sepse e meritonte pasi është në formë të shkëlqyer, teksa çoi rezultatin e përkohshëm në 6-0 për skuadrën e tij. Ndeshja përfundoi me shifrat 8-0 për Sauthemptonin, ndërsa Broja u zëvendësua në minutën e 65-të nga trajneri Hasenhutl.