Adriatik Balla 24.05.2015 12:30
Sukseset e lojtarëve shqiptarë këtë sezon kanë qenë të mëdha, sidomos të lojtarëve që luajnë në ekipin përfaqësues, të cilët kanë minutazh të rëndësishëm në fushë me skuadrat përkatëse në Evropë dhe më gjerë. Një ecuri fantastike ka bërë në Australinë e largët sulmuesi kosovar Besart Berisha, i cili pak ditë më parë u shpall “kampion” i këtij vendi me Melbërn Viktori.
Berisha ishte një golashënues i vërtetë dhe rezultoi veçanërisht vendimtar në ndeshjet gjysmëfinale e finale të “play-off”-it të kampionatit australian. Sulmuesi shqiptar Besart Berisha u nderua me çmimin “TAG Golden Boot” (Këpuca e Artë) të akorduar nga Melbërn Viktori, me sulmuesin shqiptar që shënoi 15 gola në kampionatin australian, në Ligën A”, e ku spikasin dy golat në çerekfinale, një në gjysmëfinale dhe një në finale, e që sollën jo vetëm titullin e tretë kampion për Besartin, por dhe titullin e tretë për Melburn Viktori.
Çmimi iu akordua Besart Berishës gjatë ceremonisë “2014/15 Viktori Medal”, të prezantuar nga “Bluestar Global Logistics”, në një ceremoni të transmetuar të premten drejtpërdrejt në TV. Kjo ceremoni zgjati 3 orë e gjysmë dhe gjatë saj u organizuan edhe disa ankande për shitjen e bluzave origjinale të lojtarëve. Ishte vetë sulmuesi që e publikoi foton e tij me “Këpucën e Artë” të personalizuar me emrin e tij.