Adriatik Balla 09.05.2015 08:50
Lojtarët shqiptarë që luajnë në klube të ndryshme në botë kanë pasur një sezon përgjithësisht të mirë, madje një pjesë e lojtarëve kanë arritur suksese të mëdha. Për të dihatin vit radhazi, ish-sulmuesi i Kombëtares, Besart Berisha, aktiv në kampionatin australian, po regjistron paraqitje shumë të mira, duke qenë në qendër të vëmendjes në shtypin sportiv të këtij vendi, duke marrë madje edhe shumë çmime e vlerësime. Berisha është protagonist në çdo ndeshje dhe pothuajse çdo javë.
Në kuadër të derbit të Australisë të zhvilluar dje, ai ishte lojtari që i dha forcën skuadrës së tij të fitonte duelin me rivalin e një qyteti me rezultat të thellë 3-0, duke qenë shumë pranë titullit kampion në këtë vend. Elozhet për sulmuesin shqiptar kanë qenë të shumta dhe ai është shumë pranë realizimit të një tjetër suksesi të madh në Australi, pasi është kandidat kryesor për fitimin e “Këpucës së Artë” në kampionatin e ligës së parë australiane. Pra, sulmuesi Besart Berisha nuk ndalet së shënuari gola.
Kosovari rezultoi sërish përcaktues për skuadrën e tij Melbërn Viktori në kampionatin australian. Berisha shënoi një gol dhe ndihmoi në realizimin e një tjetri në fitoren të 3-0 të Melbërn Viktori në derbi përballë Melbërn Sitit, sfidë e vlefshme për gjysmëfinalet e fazës së “play-off”-it të Ligës A”. Me ketë sukses skuadra e sulmuesit të lindur në Prishtinë siguroi kualifikimin në finalen e madhe që vlen titullin kampion në Australi ku do të gjejë përballë fituesen e sfidës tjetër gjysmëfinale mes FC Sidnejit dhe Adelajde Junajtid.
Në minutën e 18-të të sfidës së zhvilluar në stadiumin “AAMI Park”, Berisha u tregua shumë dinak teksa përfitoi nga një krosim i Broks’hemit duke goditur saktë me kokë për të kaluar Melbërn Viktori në epërsi. Edhe pse Melbërn Siti krijoi iu afrua disi herë golit të barazimit, rrugën e rrjetës e gjeti sërish skuadra e sulmuesit shqiptar. Në të 30-n minutë, Melbërn Viktori dyfishoi shifrat teksa Barbarosis vuri në skenë një gol fantastik pas pasimit të Ben Khalfallahës.
Me rezultatin 2-0 përfundoi pjesa e parë e sfidës, ndërkohë që në fraksionin e dytë lojtarët e Melbërnit vazhduan të gabonin shumë përpara portës dhe në minutën e 87-të, skuadra e trajnerit Kevin Maskat shënoi edhe golin e epërsisë së trefishtë që vulosi kualifikimin në finale të Melbërn Viktori. Sërish protagonist Besart Berisha. Një top i goditur me kokë nga 29-vjeçari shqiptar u prit me vështirësi nga Velaphi por topin e kthyer nga portieri kundërshtar arriti ta dërgonte në rrjetë Tompsoni.
Fishkëllima përfundimtare e gjyqtarit bëri që në stadium të shpërthente festa me Melbërn Viktori që tashmë është vetëm një hap larg titullit. Mbetet të theksohet në fund se Berisha ka kohë që është tërhequr nga ekipi kombëtar. Nga ana tjetër, vetë Berisha është shprehur se ndodhet larg dhe nuk ka ndërmend të luajë më për Shqipërinë.