AlbanianSport.com 07.01.2017 15:15
ASNN – Një tjetër ndeshje, një tjetër gol dhe një tjetër fitore. Sikundër është bërë zakon gjatë këtij sezoni, Besart Berisha nuk po di të ndalet. Sulmuesi shqiptar i dha fitoren skuadrës së tij, Mellbërn Viktori, me një gol dhe një pasim për gol në fushën e Adelajde Junajtid, duke i dhuruar fitoren e 9-të, në 13 ndeshje skuadrës së tij.
Golashënuesi më i mirë në historinë e kampionatit australian, dha në minutën e 22-të pasimin për Xhejms Troizinë për golin që zhbllokoi ndeshjen, ndërsa në minutën e 68-të ishte australiani ai që krosoi saktë për shqiptarin, duke i dhënë mundësinë Berishës të shënonte golin e dytë dhe të fundit të këtij takimi.
Me këtë finalizim të saktë, ish-futbollisti i Kombëtares kuqezi shkon në kuotën e 11 golave në kampionat dhe kryeson listën e golashënuesve me dy më shumë se Fonaroli i rivales bashkëqytetase, Mellbërn Sitit. Që nga viti 2011, kur nënshkroi me Brisbejn Roar, Besart Berisha ka shënuar 95 gola në elitën e futbollit australian.
Kjo e ka bërë atë një rekordmen historik, pasi askush si ai nuk ka mundur të ketë këtë ecuri kaq të jashtëzakonshme në këtë kampionat.