AlbanianSport.com 27.10.2014 11:05
ASNN – Besart Berisha i dha fitoren në derbi ekipit të tij, Melburn Viktëri. Suksesi dhe vendi i parë në tabelën e renditje erdhën sidomos falë 3 golave të shqiptarit të Kosovës. Por, ndaj Melburn Sitit nuk qe aq e lehtë, pavarsisht rezultatit, sepse kundërshtari kryesoi dy herë.
Berisha pati veçantinë se i shënoi dy golat e parë të tij pikërisht në fund të pjesës së parë dhe, menjëherë sapo filloi e dyta, duke e përmbysur rezultatin në 3-2. Për ta bërë fitoren të sigurt, ish-sulmuesi i kombëtares shqiptare, shënoi edhe golin e katërt, duke plotësuar kështu 3-golëshin e tij personal në këtë ndeshje.
Ai është tashmë shënuesi më i mirë i kampionatit elitar australian të futbollit , me 4 gola, në 3 ndeshje, po aq sa edhe Andi Koug, por e lë atë prapa sepse ka dhënë një pasim për gol, kundrejt asnjë të lojtarit të Perthit.
Pas ndeshjes, Berisha u shpreh i lumtur për golat dhe fitoren. “Nuk ishte aq e lehtë sa u duk. Na u desh të lodheshim shumë, – ka deklaruar ish-futbollisti i Hamburgut në Bundesligën gjermane dhe i Brisbejn Roar në Australi. – Dy herë ishim në disavantazh, dhe treguam me të vërtetë karakter të fortë.”
“Djemtë e merituan këtë fitore sepse ne luftuam dhe kurrë nuk u dorëzuan, – ka vijuar ai, duke folur për mediat vendase. – Besoj se kjo ishte vendimtare për fitoren.” Berisha ka qenë më parë shënuesi më i mirë i ligës australiane dhe, sipas sondazheve me tifozët, është sërish favorit për ta fituar sërish “Këpucën e Artë”.