AlbanianSport.com 23.08.2015 11:15
ASNN – Etrit Berisha ka luajtur si titullar mbrëmë në fitoren e Lacios me Bolonjën në Serinë A dhe kështu, portieri kuqezi është gati për Kombëtaren. Pas Ligës së Kampioneve, atij i besohet formacioni edhe në Serinë A. Etrit Berisha luajti sërish si titullar këtë fillim sezoni tek Lacio, ndonëse edhe një herë për shkak të dëmtimit të portierit të parë, Marketit. Gardiani i Kombëtares shqiptare bëri përsëri një ndeshje të mirë, duke qenë plotësisht i gatshëm për ndeshjet e Shqipërisë në Evropian.
Ishte një qetësi për trajnerin Pioli, në një përballje ndaj Bolonjës në “Olimpiko” të Romës, fituar, por jo pa dyshime, me rezultatin 2-1. Lacio kryesoi shumë shpejt me golat e shënuar nga Lukas Bilia dhe i riu Kishna, që debutoi duke realizuar pas mbërritjes nga Ajaksi. Për Etrit Berishën nuk është se pati shumë punë, pasi bolonjezët pak e shqetësuan portën e vendasve. Ai pësoi gol, por jo për faj të tij, ndërsa ishte në përgjithësi vendimtar për fitoren e skuadrës.
Ndërkohë, Lorik Cana nuk ishte as në stol, siç edhe e ka pritur kapiteni i Kombëtares, që nëse nuk largohet, duhet të presë me durim shansin e tij. Një tjetër shqiptar i shqetësuar ishte drejtori sportiv i Lacios, Igli Tare. Dëmtimet po e godasin rëndë skuadrën dhe këtë herë ishte radha e kapitenit Lukas Bilia. Me Marketin, Xhorxheviçin dhe Klosen të dëmtuar që më parë, skuadra italiane shkon tepër e dobësuar në ndeshjen e dytë të Ligën e Kampioneve ndaj Leverkusenit.
Megjithatë, ajo arriti të fitojë këtë herë në kampionat, edhe falë pritjes në fund të Etrit Berishës. Ndërhyrja e portierit shqiptar ruajti shifrat 2-1 dhe qetësoi përfundimisht tifozët dhe trajnerin Pioli.