AlbanianSport.com 13/12/2018 22:20
ASNN – Gjimshiti me pubalgji, humb derbin me Strakoshën dhe bën me “dhimbje koke” Gasperinin. Dy lojtarët shqiptarë të Atalantës, Etrit Berisha dhe Berat Gjimshiti, po kalonin një moment mjaft të mirë në radhët e skuadrës nga Bergamo, por ndërsa Etrit Berisha vijon të luajë në nivelin më të lartë të Serisë A, duke qenë titullar i padiskutueshëm dhe njëherësh një nga më të vlerësuarit në kampionatin italian, futbollisti tjetër ka shfaqur problem dëmtimi.
Por futbollisti tjetër, mbrojtësi Berat Gjimshiti, nuk do të jetë i gatshëm për duelin e radhës të Atalantës në kampionat, sepse ka tërheqje muskulare në rrëzë të kofshës, të njohur si “pubalgji”. Pikërisht kjo ka bërë që mbrojtësi të mos jetë i gatshëm për skuadrën dhe do të humbasë duelin me Thomas Strakoshën e Lacios. Mediat italiane shkruajnë se Gjimshiti po stërvitet i diferencuar, për të mos rrezikuar.
Ai shpreson të kthehet në duelet e radhës. Por stërvitja e deritanishme nuk ka dhënë efektin e kërkuar dhe mjekët po e ndjekin me kujdes këtë situatë. Gjasat janë që mbrojtësi i përfaqësueses së Shqipërisë të mos luajë në duelet e dhjetorit, por të kthehet vetëm në janar. Që prej momentit kur Berat Gjimshiti i shënoi gol Interin në atë fitore të madhe 3-1 të Atalantës, mediat italiane e kanë pasur në fokusin e tyre, kjo dhe për njohuritë e tij jashtë fushës, sidomos si njohës i 6 gjuhëve, një rast unikal në Serinë A.