AlbanianSport.com 21/02/2019 17:15
ASNN – I ardhur në radhët e Atalantës në merkaton e dimrit të vitit 2016, për Berat Gjimshitin u bënë 3 vjet që ka siguruar pjesëmarrjen e tij në kampionatin elitar italian. Por për të arritur deri në vlerësimin që i kanë bërë të enjten media të ndryshme sportive italiane, Gjimshiti ka kaluar nëpër shumë peripeci, sidomos në dy vitet e para, ku ai u transferua fillimisht tek Avelino, e më pas tek Benevento, teksa diskutohej në fillim të edicionit që të huazohej në një klub tjetër, pasi drejtuesit dhe stafi teknik nuk besonin shumë në aftësitë e mbrojtësit shqiptar.
Por situata ka ndryshuar totalisht për gjigandin e mbrojtjes së përfaqësueses së Shqipërisë. Një gol i shënuar kundër Interit, që i dha fitoren Atalantës, fitorja e madhe në Kupë ndaj Juventusit dhe padyshim forma e mirë që ai ka paraqitur në shumicën e ndeshjeve. Gjithmonë sipas mediave italiane, kanë qenë paraqitjet e tij në ndeshjet e mëdha që kanë bindur trajnerin Xhianpiero Gasperini dhe zyrtarët më të lartë të klubit të mos e nxjerrin Gjimshitin në shitje gjatë merkatos së janarit, edhe pse ndaj tij pati mjaft interesime, përfshi dhe Gallatasarajin turk.
Ndërkohë, e përditshmja e njohur sportive italiane, “Gazzetta dello Sport”, një ditë më parë, kishte në fokus portierin Etrit Berisha, i cili kishte zbarkuar në dyqanin e Atalantës dhe dhuroi dedikime për tifozët e skuadrës bergamase. Natyrisht, kjo paraqitje e mirë e dy lojtarëve shqiptarë nuk rrinë jashtë vëmendjes së trajnerit Kristian Panuçi që mund të bazohet në aftësitë e tyre për ndeshjet eliminatore të Kampionatit Evropian, ku dueli i parë në radhë është ai ndaj Turqisë, më 22 mars 2018 në Shkodër, ndaj përfaqësueses së Turqisë.