AlbanianSport.com 11/03/2019 19:20
ASNN – Bekim Balaj e nisi me gol vitin 2019 në kampionatin rus. Shënoi për Akhmat Groznin në duelin me ekipin e Uralin që përfundoi në barazim 1-1. Ishte një ndeshje ku kundërshtarët shënuan të parët dhe skuadrës së Akhmat Groznit iu desh shumë punë për të marrë një pikë dhe, për të marrë këtë pikë, u desh të dilte në skenë Bekim Balaj.
Jo me ndonjë lëvizje në lojë, por nga pika e bardhë e 11-metërshit. Gjuajti drejt, madje rrezikoi, por ia doli dhe realizoi një gol me vlerë për ekipin e tij. Në fakt, shkodrani kishte një paraqitje të mirë me skuadrën që në duelet miqësore të fazës përgatitore, por goli në ndeshje zyrtare ka vlerë më të madhe.
Për më tepër, që pika erdhi ndaj një skuadre rivale në zonën e ftohtë të tabelës së renditjes. Problem i futbollistit shkodran në këtë edicion kanë qenë dëmtimet e shumta, që nuk e kanë lënë të kapë formën optimale dhe e kanë mbajtur jashtë fushave herë pas here.
Megjithatë, goli i fundit mund të shihet edhe si sinjal i fortë për trajnerin e Kombëtares kuqezi, Kristian Panuçi, në prag të dueleve me Turqinë dhe Andorrën, takime që luhen përkatësisht më 22 dhe 25 mars 2019, në kuadër të eliminatoreve të “Euro 2020”-ës.