AlbanianSport.com 22/11/2018 11:20
ASNN – Lajm i mirë për Berat Gjimshitin, Atalanta nis lëvizjen për t’i rinovuar kontratën edhe për një vit. Në qershor të vitit 2019 mbyllet kontrata e mbrojtësit kuqezi Berat Gjimshiti me klubin e Atalantës. Por klubi nga Bergamo ka bërë një kthesë të fortë, pasi edhe zyrtarisht ka nisur bisedimet me menaxherin e lojtarit që t’iu zgjasë kontratën edhe për një vit tjetër.
Janë vetë mediat italiane që shkruajnë se Gjimshiti e ka kaluar “provën”, sidomos me atë paraqitje mjaft të mirë që bëri ndaj Interit në kampionatin italian. Mbrojtësi i kombëtares kuqezi zhvilloi një prej ndeshjeve të tij më të mira, ku jo vetëm shkëlqeu si mbrojtës, por shënoi një gol me vlera për Atalantën, një gol që ndihmoi ekipin të fitonte 4-1 ndaj zikaltërve.
Sipas mediave italiane, Gjimshiti ka rinovuar kontratën edhe për një vit tjetër me Atalantën dhe tani do të jetë pjesë e klubit berkamask deri në vitin 2020. Lojtari 25-vjeçar ka fituar simpatinë e trajnerit të Atalantës, Gasperini, i cili ka nisur ta aktivizojë si titullar dhe madje i jep detyra edhe në sulm siç ndodhi në duelin me Interin. Mbetet të mësohen kushtet e reja kontraktuale, sidomos sa i takon anës financiare.
Por lojtari po rikuperon kohën e humbur me angazhim të paktë, teksa i duhet të kryejë disa seanca terapi rikuperimi si pasojë e një dëmtimi të lehtë në ndeshjen që Shqipëria luajti kundër Skocisë, gjë që e pengoi të luante me Uellsin.