AlbanianSport.com 02.02.2015 21:35
ASNN – Lojtari i Kombëtares kuqezi, Armando Vajushi, është edhe zyrtarisht futbollist i ri i Kievos. Futbollisti shqiptar ka lënë ekipin bullgar të Liteksit të Loveçit, duke nënshkruar me skuadrën italiane.
Edhe pse flitej për një marrëveshje në ditët e kaluara, zyrtarizimi ka arritur vetëm sonte. 23-vjeçari do të nisë kështu një eksperiencë të re në Serinë A. Pas nënshkrimit, Vajushi është prezantuar te klubi veronez.
Sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Armando Vajushi, ka bërë kështu hapin e madh të karrierës së tij. Vajushi ka nënshkruar sot një kontratë me skuadrën italiane që militon në nivelin më të lartë të futbollit të Apenineve.
Bashkë me agjentin e tij, Sokol Haxhia, Vajushi u prezantua me fanellën e skuadrës së tij të re. Tek Kievo e Veronës, Armando Vajushi do të gjejë një tjetër shqiptar, futbollistin e përfaqësueses finlandeze, Përparim Hetemaj.