AlbanianSport.com 28.12.2016 07:55
ASNN – Ndonëse, sipas mediave italiane, e kanë nxjerrë në shitje në merkato e janarit, ai nuk dorëzohet dhe kërkon shansin e tij. Arlind Ajeti ka luajtur vetëm një ndeshje në këtë sezon me Torinon, atë kundër Pizës në Kupën e Italisë. Mbrojtësi shqiptar pasi kaloi dëmtimin që zgjati disa javë është në dispozicion të trajnerit Sinisha Mihajloviç, i cili ende nuk e ka aktivizuar në kampionat.
Zëra të shumtë e largojnë 23-vjeçarin nga Torino dhe Peskara, Empoli e Krotone do t’i garatonin një vend si titullar Ajetit sipas faqes torinez, “Toronews.net”. Por futbollisti i Kombëtares kuqezi nuk dëshiron të largohet. Arlind Ajeti kërkon shansin e tij me Torinon, ku këtë sezon ka shumë konkurrencë për formacionin.
Por Drejtori sportiv i klubit, Petraçi e vlerëson lojtarin shqiptar. “Toronews.net” shkruan se më shumë e mundur është që, në muajin janar, të largohet Çezare Bovo. Arlind Ajeti u afrua te Torino këtë sezon, duke firmosur deri në qershor 2019 me mundësi rinovimi edhe për 2 vite të tjera.